Një person është lënduar gjithashtu edhe pesë të tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në vendin e ngjarjes, pasi zjarri ka përfshirë një banesë në lagjen “Ulipana” në Prishtinë.
Këtë e bënë të ditur për klankosova.tv nga Zyra e Informimit në Policinë e Kosovës.
Nga kjo zyrë deklaruan se janë duke punuar për sqarimin e rrethanave të cilat kanë ndikuar në shkaktimin e këtij rasti.
“Deri tani gjashtë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, një nga ta është dërguar në QKUK- Prishtinë, për trajtim mjekësor, ndërkohe që 5 te tjerët tretmanin e kanë marrë në vend ngjarje ( probleme me frymëmarrje nga tymi)”.
“Zjarri është lokalizuar dhe aktualisht policia në bashkëpunim me zyrtarët relevant nga institucionet përkatëse, po punojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat të cilat kanë ndikuar në shkaktimin e këtij rasti”, thonë nga ZIPK.
Latif Zeka, komandant i brigadës se zjarrfikësve, i cili ka qenë në vendin e ngjarjes ka thënë para mediave se akoma nuk dihet shkaktari i zjarrit dhe se ata janë duke punuar në këtë aspekt.
“Ora 09:28 e kemi pranuar thirrjen, kemi ardh menjëherë. Por derisa kemi arritur ne policia dhe banorët kanë arritur me shpëtu personin që ka qenë brenda. Ne e kemi ndalë zjarrin”, ka thënë Zeka.
Ndërsa Afrim Gashi , dëshmitar nga vendi i ngjarjes ka thënë për Klan Kosovën se ata kanë shkuar të ndihmojnë personin që ka qenë brenda në banesë.
“E kemi dëgju tu bërtit një kojshike, ne kemi dalë prej lokaleve, kemi shkuar në katin e tretë”.
“Një person cili shet gështenja këtu poshtë banesës, e ka thy derën. Kur hymë brenda e pamë Enisin duke piskatë dhe nuk dojke me dal nga panika jashtë, e kemi kap shpejt”, ka thënë Gashi.