Connect with us

KOSOVË

Policia: Katër të arrestuar nga të kthyerit e Sirisë, siguria në vend është stabile

Published

on

Sot në orët e para të mëngjesit janë kthyer 110 shtetas kosovarë nga zonat e konfliktit në Siri, në mesin e tyre edhe 74 fëmijë.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se siguria e përgjithshme në Kosovë është stabile pas kthimit të tyre.

“Institucionet e Kosovës aktualisht janë duke ofruar ndihmën dhe trajtimin e duhur. Të gjithë ata që kanë kryer vepra penale do të dalin para drejtësisë, ndërsa të tjerëve do t’iu jepet ndihma e nevojshme për rehabilitimin dhe kthimin në shoqëri”.

“Sa i përket aspektit të sigurisë dhe gjithë procesit të kthimit të qytetarëve nga zonat e konfliktit gjithçka ka shkuar sipas planifikimeve”.

Qalaj në një konferencë për media tregoi se katër persona nga të kthyerit, të dyshuar për pjesëmarrje në luftime, janë arrestuar nga Policia e Kosovës.

“Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale ka arrestuar katër luftëtarë të huaj të kthyer, të cilëve iu është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa veprimet tjera do të jenë në harmoni me dispozitat ligjore”.

“Policia po ofron ndihmë dhe për përkrahje për trajtimin e të kthyerve. Në zonë vazhdojnë ende shtetas të Kosovës, që vendndodhja nuk është e qartë por po punojmë për kthimin e tyre”.

“Siguroj qytetarët që situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe stabile dhe Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar që në bashkëpunim me institucionet tjera të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët”.

Ndërkaq, drejtori i Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, tha se të kthyerve do t’iu jepet trajtimi shëndetësor i nevojshëm dhe parandalimi eventual i ngjitjes së ndonjë sëmundjeje.

“Për arsye të ruajtjes së shëndetit dhe parandalimit të bartjes së ndonjë sëmundjeve, çdo person do të shikohet dhe do të vaksinohen, si dhe do t’i nënshtrohet procedurave  për sëmundjet ngjitëse. Procesi do të trajtohet me kujdes të lartë dhe do të jepet diagnoza e saktë”.

Continue Reading