Xhemal Ahmeti, politolog, historian, studiues dhe analist, i ka shkruar një letër të hapur kryeministrit Haradinaj, ku i kërkon pezullimin e përkohshëm te taksës.
Letra e plotë e Ahmetit:
Dashuria ime për Kosovën nuk varet as nga politikat ditore e as nga ndonjë shpresë për poste, privilegje apo kalkulime materiale. E kam thjeshtë nga bindja e farkuar në frymën time nga mësuesit e mi në Pollog, të cilët qysh si fëmijë më kanë ushqyer me besimin se Kosova është aorta e identitetit shqiptar dhe se duhet luftuar për të. Kam luftuar aq sa kam pasur guxim më shumë jo.
Ju keni luftuar aq në luftë e liri saqë çdonjërit i vjen turp t’iu tregojë ndonjë vuajtje. Jeni personaliteti i asaj lufte që ende nuk ka përfunduar së vuajturi e së paguari harraç personalisht e familjarisht për qenien e Kosovës shtet sovran dhe të pavarur.
Sinqerisht: asnjëherë më herët nuk kam qenë më krenar me Republikën e Kosovës se sa prejse që jeni ju Kryeministër. Na e kthyet dinjitetin dhe respektin për veten. Dhe ky perceptim është masiv.
Me siguri e parandieni që në rreshtat e parë se pse ju lavdëroj në fillim. Një çmim kjo lutje duhet ta ketë, do e mendoni. Jo s’ka asnjë çmim. Ju keni pushtetin unë vetëm tastierën dhe fjalët.
Kurrë nuk do të kisha besuar, nëse dikush do më thoshte para shumë viteve, se Kosovës do i bëhen ultimatume e jo Serbisë. Ju me siguri jeni dakord se kjo mundësi ultimatumesh nuk është produkt i juaj, por i atyre që sot ju kritikojnë. Ata na e sollën këtë. Le të jetojnë me këtë hipotekë historike.
Amerika sillet padrejtësisht ndaj Kosovës.
BE sillet padrejtësisht nga Kosovës.
Megjithatë SHBA-të s’duhet të refuzohen.
Atyre duhet thënë në fytyrë se s’bëjnë mirë. Atyre duhet thënë se çdo lëshim bëhet ndaj SHBA-ve e jo qeverive të saj që vijnë e shkojnë. Por, duhet pranuar kërkesën e tyre për pezullim të përkohshëm taksës: si shpëlarje e fundit borxhi. Si maksimum se ç’mund të djeg Kosova për mikun qe e konsideron të shtrenjtë e shenjtë deri sa të bindet me karakterin e tij.
Bëjeni këtë se nuk do humbni asgjë. As Kosova. Të dyja do fitoni. Se po që se erdh rasti të mbrohet diçka gjithë një borxh ua kanë: të ngjiten pas jush deri në…
Bëjeni pa u hamendësuar se si kurrë më parë masat nuk kanë pasur garanci më të mirë se ju se s’do ketë marrëveshje që do e dëmtonte Kosovën.