Mëngjesin e sotëm u raportua se si Komuna e Prishtinës ka kërkuar nga prindërit të paguajnë çerdhen publike, pavarësisht se fëmijët e tyre kanë qëndruar aty për vetëm pesë ditë.
E gjithë kjo si pasojë e grevës e cila u zhvillua për tri javë, poashtu pushimi që u zhvillua në festat e fundvitit.
Prindërit janë shprehur të indinjuar nga fakti se u duhet të paguajnë fatura të plota, përderisa fëmijët i mbajtën në shtëpi, madje shpesh herë duke marrë pushime shtesë për t’u kujdesur për ta.
Përpos kësaj, Këshilli i Prindërve kanë shkruar një letër në drejtim të Drejtori të Arsimit në Prishtinë, Jonuz Salihaj.
Në letrën e siguruar nga Indeksonline, shihet se si prindërit kanë ngritur shqetësimin lidhur me pagesën, duke pasur parasysh përveç pamundësisë së dërgimit të fëmijëve në çerdhe, problemeve në gjetjen e alternativave dhe pagesave shtesë për çerdhet private, tani kryetari i komunës, Shpend Ahmeti pa asnjë keqardhje pa u munduar që së paku të përpiqet të gjejnë ndonjë alternative, mori këtë vendim
Prindërit gjithashtu kanë thënë se arsyetimi se pagat e punëtorëve të çerdheve realizohen përmes pagesave të tyre është i pavërtetë.
Me këtë rast, prindërit kanë vendosur që pagesa e muajit shkurt 2019, të mos bëhet nga 8 institucione parashkollore sa janë gjithsej.
Letra e plotë:
I nderuari z. Salihaj,
Duke iu referuar vendimit/qëndrimit të Kryetarit të Komunës lidhur me pagesën e plotë për çerdhet, ju njoftojmë si në vijim:
Edhe para këtij vendimi, shumica e prindërve kanë ngritë shqetësimin lidhur me pagesën, duke pasur parasysh që përveç pamundësisë së dërgimit të fëmijëve në çerdhe, problemeve në gjetjen e alternativave dhe pagesave shtesë për çerdhet private, tani Kryetari i Komunës, z. Ahmeti, pa asnjë keqardhje dhe pa u munduar që së paku të përpiqet të gjejë ndonjë alternativë, merr këtë vendim.
Arsyetimi që pagat e punëtorëve të çerdheve realizohen përmes pagesave tona NUK qëndron dhe është totalisht i pa vërtetë, meqenëse pagesa është participim me bazë në kontrata për shërbimet e ofruara. Si shembull: kur çerdhet janë në pushime 1 mujore ne lirohemi nga pagesa, kur fëmijët nuk kanë qenë fare gjatë gjithë muajit në kopsht, pse nuk vlen atëherë parimi i njëjtë?!
Përveç kohës së grevës që ka shkaktuar shumë probleme për neve si prindër, ku fëmijët e moshave shumë të vogla janë maltretuar duke i dërguar në vende aspak të njohura për ta, tani del që ne PRAPË të dëmtohemi dhe pa asnjë përpjekje nga Komuna për të gjetur ndonjë alternativë që së paku ta dëshmoni mbështetjen tuaj krahas gjendjes aspak të lehtë që kishim;
Neve na pëlqeu reagimi Juaj, ku keni pranuar që ka vështirësi administrative/ligjore për tu liruar nga pagesa, por ju në të njëjtën kohë keni shprehur edhe faktin tjetër që fëmijët nuk kanë marrë asgjë nga shërbimet për 3 javë rresht (që i bie gati 1 muaj) – diçka që nuk ndodhi me Kryetarin e Komunës.
Si rrjedhojë e kësaj, të gjithë përfaqësuesit e prindërve të të gjitha çerdheve publike menjëherë kanë përcjell informatën tek të gjithë prindërit dhe pas marrjes së qëndrimeve nga shumica dërmuese e prindërve, kanë marrë këtë Vendim:
Pagesa e muajit Shkurt 2019 nuk do të bëhet nga ASNJË prind i institucioneve parashkollore (8 sa janë gjithsej).
Sa për informim shtesë, ne asnjëherë nuk do të kishim ndërmarrë kësi veprimi, por meqë vendimi i fundit nga Komuna/Kryetari që ne të dëmtohemi dyfish krejt pa fajin tonë, na bëri që të vijmë deri te ky vendim.
Më poshtë janë emrat e përfaqësuesëve të prindërve nga çerdhet publike:
Albana Ramadani – I.P Dielli
Betim Sopi – I.P Yllkat
Trëndelina Qorraj – I.P Lulevera
Vlora Merlaku – I.P Ardhmënia
Trëndelina Bylykbashi – I.P Buzëqeshja
Rrezar Mustafa – I.P Xixëllonja
Nderim Kamberi dhe Vilma Biba – I.P Gëzimi Ynë
Kushtrim Vrajolli – I.P Fatosat