Personat e parë të ftaur nga Specialja tashmë kanë filluar të intervistohen. Disa prej tyre janë intervistuar në Prishtinë kurse ish-komandanti i Llapit Rrustem Mustafa dhe ish-komandanti i Drenicës Sami Lushtaku, javën e kaluar për dy ditë radhazi ishin intervistuar në Hagë.

Gazeta Insajderi ka shkruar se si shteti është vënë në shërbim të këtyre personave duke ua mundësuar udhëtimin si persona VIP nga Aeroporti i Prishtinës. Lushtaku, ka udhëtuar si zyrtar i Kuvendit të Kosovës, e Rrustem Mustafa, si zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Fondi prej 1.5 miliovë është ndarë me vendim të qeverisë në vitin 2016-të.

Bazuar në këtë vendim personat të cilët mund të jenë akuzuar nga Gjykata Speciale, kanë të drejtë të bëjnë kërkesë për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësve të pavarur, në bazë të Ligjit për mbrojtjen juridike dhe financiare të personave.

Me këtë fond po ashtu, mbulohen shpenzimet edhe familjarëve të tyre gjatë vizitave që do t’u bëjnë këtyre personave, të cilët do të përballen me procese gjyqësore në Hagë.

Deri tash sipas Ministrisë së Drejtësisë nga ky fond janë shpenzuar, gjysmë milioni.

“Për Programin Mbrojtja Juridike dhe Mbështetja Financiare e Personave të Akuzuar Potencialë nga Dhomat e Specializuara, me Ligjin nr. 06/L-020 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018, në kategorinë 020 Transfere dhe Subvencione janë miratuar 1,500,000.00 euro. Nga kjo shumë e planifikuar në vitin 2018 janë shpenzuar 466.309,41 euro për zbatimin e vendimit të Qeverisë dhe marrjen e këshillave juridike për formën e adresimit të obligimeve të Republikës së Kosovës ndaj Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit Special”, thuhej në një përgjigje të shkruar që Ministria e Drejtësisë. /Insajderi/