Connect with us

LAJME

Rama takon kreun e FFK-së, dakordohen për ndërtimin e stadiumit në Bërnicë

Published

on

Kryeqyteti pritet të ketë një tjetër stadium modern. Së paku një zotim të tillë e kanë dhënë kreu i FFK-së, Agim Ademi dhe kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Dy krerët e institucioneve përkatëse kanë zhvilluar një takim në selinë e FFK-së dhe sipas njoftimit nga kjo e fundit, ata kanë diskutuar rreth projektit për ndërtimin e  stadiumit të ri në kryeqytet.

“Ky takim kishte për qëllim koordinimin ndërinstitucional për ndërtimin e këtij stadiumi të rëndësishëm për futbollin kosovar dhe komunitetin e Prishtinës në përgjithësi. Presidenti Ademi dhe i pari i kryeqytetit u dakorduan për të bashkëpunuar në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për sportin kryeqytetas dhe jo vetëm. Stadiumi i ri, i cili do të ndërtohet në Bërnicë, do të jetë i kategorisë së katërt dhe do t”i plotësojë të gjitha standardet dhe kushtet e nevojshme për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare, përkatësisht të ndeshjeve të ekipit kombëtar dhe klubeve në garat evropiane”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Tutje thuhet se ky stadium ‘gjithashtu do të jetë një vend i përshtatshëm për organizimin e aktiviteteve tjera sportive dhe eventeve të ndryshme’.

Në njoftim bëhet e ditur se Ademi dhe Rama janë dakorduar që Federata e Futbollit e Kosovës të ketë përgjegjësinë për menaxhimin e stadiumit të ri, në të njëjtën mënyrë siç ndodh edhe me stadiumin “Fadil Vokrri”.

Megjithatë, në njoftim nuk është bërë e ditur se kur planifikohet të nisë dhe as kur përmbyllet ky projekt, e as kush do të qëndrojë prapa me financimin e tij.

Aktualisht Kosova e ka vetëm një stadium që i plotëson kriteret për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare, teksa disa vjet më parë nga MKRS-ja ishte prezantuar projekti për ndërtimin e stadiumit nacional në afërsi të Drenasit, por sot e asaj dite nuk është bërë asnjë hap në atë drejtim.

Continue Reading