Connect with us

LAJME

Rrëfimi tronditës i Vasfije Krasniqit

Published

on

Vasfije Krasniqi-Goodman, jo shumë kohë më parë, e ka thyer heshtjen duke treguar rrëfimin e saj tronditës për dhunën seksuale që përjetoi gjatë luftës në Kosovë, 20 vjet më parë.

Ajo, mes emocionesh të forta, ka rikujtuar në Info Magazine të Klan Kosovës këtë ngjarje të rëndë që ajo e përjetoi si 16 vjeçare.

“Ka qenë 14 prilli i vitit 1999 kur polici serb ka ardhë në shtëpi. Nuk e di se me çfarë qëllimi ka ardhur, por kur është futur në oborr ka kërkuar ta dijë se ku janë babai dhe vëllezërit. Ne i kemi thënë se nuk janë në shtëpi. Pas kësaj, ai ka kërkuar letërnjoftimin tim dhe të nanës”.

“Pasi e ka parë letërnjoftimin e nanës ia ka kthyer atë. Por, kur e mori letërnjoftimin tim më tha se duhet të vish në Stacionin Policor në Prelluzhë për të dhënë një deklaratë se ku gjendet Shaipi [babai] dhe vëllezërit”.

“Nana i tha ‘jo, mos e merr vajzën, por më merr mua’. Ai [polici serb] tha ‘kjo është fëmijë dhe nuk di të gënjejë’ sepse ata donin informata. Në atë kohë e kisha njërin vëlla në UÇK-së derisa babai dhe dy vëllezërit kanë qenë në Gjermani derisa unë në Kosovë isha vetëm me nanën dhe vëllain e vogël”.

“Polici që ishte i asaj ane nuk shkoi në Prelluzhë, por fillimisht shkoi në kishën e Babimovcit para se të shkojmë në shtëpinë ku më dhunoi”.

“Në kishën e Babimovcit kishte shumë serbë që po luteshin. Ai [polici serb] e ndizte shkrepsën dhe thoshte në gjuhën serbe ‘shiheni se çfarë kam’ derisa unë isha duke qarë”.

“Te shtëpia ndodhi dhunimi i parë. Më pas, ai u kthye prapë në rrugën e Babimovcit dhe u ndal në një shitore të vogël ku doli personi i dytë që ishte i moshuar – më largoi nga vetura dhe më dërgoi në një shtëpi tjetër”.

“Në ato momente kam qenë e vetmuar”.

Si arriti Vasfije Krasniqi, në atë kohë e mitur, të kthehet pas kësaj ngjarje tronditëse në shtëpinë dhe familjen e saj?

“Kur të dy e kryen krimin, shkuan prapë në atë shitore. Ka kaluar aty pranë një i moshuar që ishte me uniformë të ushtrisë, jo të policisë. I jam lutur atij vetëm të më dërgojë në shtëpi sepse nuk e dija çfarë të bëj”.

“Kur ai është futur në shitore, polici dhe personi me rroba civile janë kthyer në makinë. Ata më kanë thënë që po të dërgojmë në shtëpi, por nuk duhet t’i tregosh askujt. Më thanë se kur të shkosh në shtëpi duhet t’iu thuash që ke dhënë deklaratë të Dejani që ishte komandanti i Stacionit Policor të Prelluzhës”.

Vasfije Krasniqi-Goodman, viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka thënë se nuk i di emrat e personave që e kanë kryer këtë krim.

Megjithatë ajo thotë se emrat figurojnë në dokumente.

”Kur kam arritur në shtëpi, kam hyrë tek varrezat sepse vetëm doja të vdisja aty dhe nuk doja të kthehesha më në shtëpi. Kam shkuar te shtëpia e axhës sepse nuk doja të kthehesha në shtëpi sepse nuk e dija a do të kthehen ata prapë ose çfarë do të ndodhë”.

“Aty e kam gjetur nanën, axhën dhe dy fqinj derisa familjet e tyre i kishin dërguar në një fshat më larg”.

“I kam thënë nanës që nuk mund të shkojë më në shtëpi dhe atë natë na kanë dërguar te motra ime që ishte në një fshat tjetër”.

Ajo thotë se familja e saj e kuptoi përvojën e saj shumë të rëndë edhe pse ajo nuk e tha asnjë fjalë të vetme.

“Nuk kisha pse të tregoj sepse në bazë të pamjes e kanë kuptuar të gjithë se çfarë ka ndodhur me mua. Kur një 16 vjeçare mbahet me orë dhe kur kthehet me pamjen me të cilën jam kthyer në shtëpi – ka treguar pamja ime”.

“Kur jam kthyer në shtëpi, kam qenë me shenja dhe gërvishtje. Nuk ka pasë dyshim se të gjithë e kanë kuptuar se çfarë ka ndodhur me mua”.

Por, si ishte jeta e saj pas këtij përjetimi dhe a e ndau Vasfija dhimbjen e saj me dikë?

“Më e rënda, pas kësaj ngjarje, ka qenë shëndeti. Kam shkuar në një shtab të UÇK-së në një fshat të Drenicës ku më kanë dhënë disa barna. Aty u kam treguar pjesëtarëve të UÇK-së se çfarë më ka ndodhur në Babimovc”.

“Ka qenë e vështirë, por më është dashur të mbrohem, përndryshe më duhej të bëja vetëvrasje sepse nuk është diçka që mund ta përballosh vetë – është shumë vështirë”.

Ajo thotë se njerëzit përreth e saj nuk e kanë gjykuar për atë që i ndodhi.

“Ne kemi qëndruar gjatë në mal. Askush nuk ka bërë ‘me gisht’ dhe as nuk më ka gjykuar se çfarë më ka ndodhur, më kanë mirëkuptuar”.

Continue Reading