Zyra e UNICEF-it në Kosovë ka lansuar aplikacionin për telefon “Shneta”, i cili ka për qëllim të informojë rininë mbi edukimin seksual, shëndetin riprodhues dhe informacione të tjera relevante në lidhje me këto çështje.

Drejtori i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, tha se sot po testojnë dy gjëra për mënyrën se si teknologjia mund të përdoret për të mirë.

“Ne jemi të zotuar që të përmirësojmë shëndetin. Askush nuk do që fëmijët e tyre të kenë sëmundjet seksuale si HIV. Askush nuk dëshiron që vajzat të lindin para moshës 18-vjecare. Ky aplikacion është një zgjidhje e jashtëzakonshme”, tha ai.

Zëvendësministri i Shëndetësisë Rrustem Musa tha se mungesa e qasjes në një edukim seksual meriton vëmendje tonë sepse një edukim i tillë ndikon në zbulimin e sëmundjeve më herët.

“Ministria e Shëndetësisë ka histori të gjatë të bashkëpunimi me UNICEF e po ashtu Ministria e Shëndetësisë është duke marrë hapa për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore edhe angazhimi qytetar është i domosdoshëm”, u shpreh ai.

Visare Mujko- Nimani nga UNFPA në Kosovë, tha se forcat e tyre i kanë orientuar për të edukuar rininë për fushën e edukimit seksual dhe bashkë me MASHT janë duke përpiluar udhërrëfyesit për edukim seksual edhe në shkolla.

“Bashkë me UNICEF kemi zhvilluar aplikacionin tjetër. Ky aplikacion ju çon tek informata rreth kësaj fushe. Shpresoj që këto aplikacione do shërbejnë të kemi një rini të shëndosh”, tha ajo.