Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës e Kosovës (SBASHK), ka theksuar se edhe përkundër presioneve të mëdha në disa komuna, e sidomos në Deçan, edhe dita e shtatë e grevës së punonjësve arsimorë është mbajtur në të gjitha komunat, me përjashtim të shkollës “Heronjtë e Dukagjinit” në Gllogjan, e cila numëron 15 anëtarë, edhe në shkollën “Dëshmoret e Vokshit” në fshatin Pobërgj një mësimdhënëse ka tentuar të mbaj orën e parë, e cila pastaj iu ka bashkangjitur grevës në komunën e Deçanit.
Gjatë ditës së sotme, kryesindikalisti i arsimit, Rrahman Jasharaj me bashkëpunëtorë vizitoi grevistët në komunën e Pejës, dhe pasdite do ta vizitojë edhe Këshillin Grevist në Deçan për të biseduar nga afër me ta për gjendjen në këtë komunë.
Vizita grevistëve iu bënë edhe në Prishtinë nga anëtarët tjerë të Këshillit Qendror Grevist në çerdhen “Xixëllonjat” në Prishtinë, ku biseduan për ofertën e ofruar nga qeveria si dhe vendimin që ka marrë Këshilli Drejtues i SBASHK-ut në takimin e djeshëm.
“Apelojmë të kryetarët e komunave, si dhe të drejtoritë arsimore, që mos të bëjnë presion për thyerje të grevës në komunat e tyre dhe mos të përfshihen në ‘konflikt’ derisa ata s’kanë mundësi të zgjedhjes së kërkesave të shtruara nga SBASHK-u, kërkesa të cilat vlejnë për tërë territorin e Republikës së Kosovës”.
“Njëherësh kërkojmë nga ata, që para se t’i ftojnë Këshillin Grevist, në biseda ‘informative’ t’i lexojnë ligjet mbi organizimin sindikal, ligjin e grevës dhe statutin e SBASHK-ut dhe nga ato mund të marrin informata të sakta, se greva është e shpallur në nivel vendi dhe këtë të drejtë të shpalljes së grevës e ka pas Këshilli Drejtues i SBASHK-ut, i cili është i vetmi organ legjitim që mund ta përfundon grevën ne rast se janë plotësuar kërkesat”, thonë nga kjo sindikatë.
Kjo e fundit këshillon që në vend të detyrimeve për të filluar procesi mësimor, “zgjidheni dialogun, i cili dialog është duke u zhvilluar në nivel qendror”.