Connect with us

LAJME

Shumë shtete në Evropë kosovarët i shkruajnë si serbë

Published

on

Edhe po të donte Kushtrim Gojani që biznesin e tij, KGO Media Investemnts Dooel, ta regjistronte me dokumente të Kosovës në Maqedoni, një gjë të tillë nuk do të mund ta bënte.

Kjo për shkak se sistemi i regjistrimit në këtë shtet, në atë kohë nuk e shënonte kodin për shtetin e Kosovës XK (Kosova). Ani pse, që në vitin 2010, Maqedonia kishte premtuar se këtë problem që e hasnin shtetasit maqedonas të lindur në Kosovë, do ta rregullonte.

Dhjetëra marrëveshje në mes të dy shteteve u nënshkruan në përpjekje për largimin e procedurave burokratike mes Kosovës dhe Maqedonisë për shtetasit që i kishin dy nënshtetësi.

Edhe sot, lajme të tilla, kur sistemi i regjistrimit në Maqedoninë e Veriut i shkruan kosovarët si serbë, janë ende të pranishme.

Në marsin e vitit të kaluar, një qytetar i Maqedonisë Veriore ishte ankuar në ambasadën e Maqedonisë në Zvicër, pasi në pasaportën e nënës së tij, e lindur në Gjilan, figuronte shkurtesa “SRB”, që nënkupton nënshtetësi serbe.

Ky qytetar, siç raporton Agjencia e Lajmeve INA, kishte thënë se nëna e tij nuk kishte të bënte fare me Serbinë.

Ai kishte kërkuar sqarime nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut rreth këtij skandali, duke insistuar që ky gabim të përmirësohet, meqenëse, sipas tij, kësisoj po i shtrembërohej edhe origjina.

Kiks Kosova ka kontaktuar me zyrtarët e Ministrisë së Brendshme në Maqedoninë e Veriut, të cilët kanë theksuar se kanë pasur raste të tilla në vazhdimësi.

Detajet lidhur me këtë çështje, Kiks Kosova do t’i sjellë të detajuara në një episod tjetër.

Historia e vërtetë e shtetësisë së kosovarëve që jetojnë në vendet e rajonit dhe atyre të Evropës është e mbushur me parregullsi lidhur me çështjen e identitetit të tyre.

Kjo për faktin se në shumë shtete të Evropës, duke përfshirë Gjermaninë, Francën, Italinë dhe vende të tjera, pavarësisht faktit se po këto shtete e kanë njohur dhe mbështetur procesin e pavarësisë së Kosovës, sistemet e tyre në gjendjen civile ende ua shkruajnë shtetasve kosovarë, shtetësinë serbe apo kodin “SRB”.

Për një çështje të tillë, Kiks Kosova kishte raportuar në mes të muajit maj të këtij viti, kur dhjetëra qytetarë që jetojnë në landin e Mynhenit dhe Stutgartit ishin ankuar se fëmijëve të tyre në certifikatat e lindjes po iu figuronte edhe shtetësia serbe.

Menjëherë pas transmetimit të këtij emisioni, qindra qytetarë nga mbarë Evropa i kanë shkruar Kiksit duke thënë se e kishin po të njëjtin problem.

Z.J. nga Gjermania kishte thënë se ishte shokuar nga ky problem dhe ka kërkuar të sqarohen autoritetet kosovare me ato gjermane.

Një tjetër qytetar nga Italia kishte thënë se u detyrua ta regjistrojë fëmijën e tij si shtetas të Shqipërisë, pikërisht për faktin se në Itali i thanë se duhet shkruar edhe shtetësia serbe.

Po ashtu nga Italia kishin shkruar se, përveç Serbisë, në disa prej komunave, u shkruante edhe Jugosllavia.

Në kanalin zyrtar të Youtube, në komentet e kësaj episode të Kiksit, kanë shkruar edhe qytetarë nga Suedia. Njëri nga ta kishte thënë se edhe vetë ishte viktimë e këtij problemi.

Kiks Kosova kishte kërkuar sqarime nga Ministria e Jashtme e Kosovës dhe ambasadat përkatëse. Përderisa konsullatat e kishin pranuar problemin, Ministria e Jashtme në Kosovë e kishte arsyetuar këtë parregullsi me faktin se njëri nga prindërit mund të kishte poseduar dokumentet e regjistrimit të shtetësisë jugosllave apo të jetë regjistruar si jokosovar para shpalljes së pavarësisë.

Por, sinjalizuesi i Kiks Kosovës ka thënë se kurrë në jetën e tij nuk kishte pasur dokument nga shteti i Serbisë.

Continue Reading