Një sondazh mbarëkombëtar në Kosovë nga Qendra për Vështrime në Hulumtime të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI) tregon optimizëm mbi marrëdhëniet me Serbinë, më pak shqetësime për korrupsionin dhe mbështetje të fortë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE).
Sipas sondazhit 85% e të anketuarve kanë deklaruar se Serbia është kërcënimi më i madh për vendin, i pasuar nga Rusia me 84%, Kina (47%), Mali i Zi (22%), ShBA (14%), Shqipëria (13%) dhe Turqia (10%).
Të pyetur se kur prisnin që Kosova të normalizonte marrëdhëniet me Serbinë, 55% thanë se brenda pesë viteve të ardhshme. Pavarësisht nga ky këndvështrim optimist, 79% e kosovarëve nuk besojnë se duhet dhënë ndonjë lëshim për të marrë njohjen nga Serbia.
“Edhe pse koncesionet duket se janë një pikë pengese tani, është një zhvillim pozitiv që shumica e kosovarëve besojnë se marrëdhëniet me Serbinë do të normalizohen në pesë vitet e ardhshme”, tha Paul McCarthy, Drejtor për Evropën në IRI, raporton RTKlive.
Sondazhi tregon gjithashtu se më pak njerëz janë të shqetësuar me korrupsionin sesa në vitet e kaluara. Përqindja e njerëzve që u përgjigjën se korrupsioni ishte problemi më i madh ose i dytë më i rëndësishëm me të cilin ballafaqohej Kosova, ra nga 29% në shtator 2021 në 8% në këtë sondazh.
Përveç kësaj, anëtarësimi në BE dhe zhvillimi demokratik në Kosovë kanë mbështetje të fortë. Nëntëdhjetë e pesë për qind e kosovarëve thanë se do të votonin për anëtarësim në BE nëse do të mbahej një referendum. Më tej, 66% e njerëzve janë shumë ose disi të kënaqur me mënyrën se si është zhvilluar demokracia në vend.
“Mbështetja e fortë për BE-në dhe qeverisja demokratike janë shenja që kosovarët e kuptojnë se integrimi i mëtejshëm me Perëndimin është një recetë për sukses. Institucionet politike të përgjegjshme dhe transparente do të ndihmojnë në ndërtimin e një të ardhmeje paqeje dhe prosperiteti për Kosovën”, tha Paul McCarthy, Drejtor për Evropën në IRI.
Të dhënat u mblodhën midis 20 shkurtit 2023 dhe 13 marsit 2023, përmes intervistave ballë për ballë të administruara nga CAPI në shtëpitë e të anketuarve. Mostra përbëhet nga banorë të Kosovës të moshës 18 vjeç e lart. Mostra është peshuar sipas gjinisë, moshës dhe përkatësisë etnike bazuar në Regjistrimin e vitit 2011 dhe profilet komunale të OSBE-së.