Connect with us

LAJME

Suspendohet drejtori i Policisë në Mitrovicë të Veriut, refuzoi zbatimin e Qeverisë për shpërndarje të qortimeve për targa ilegale

Published

on

Është suspenduar Drejtori Rajonal i Policisë në Mitrovicë të Veriut, Nenad Gjuriq, pasi i njëjti ka refuzuar të zbatojë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletave qortuese, për shoferët që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia.

Lajmin e ka bërë të ditur të enjten Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media.

“Me datë 03.11.2022, u.d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës me rekomandim të IPK-së ka suspenduar nga ushtrimi i detyrave të përgjithshme të punës dhe autorizimeve policore drejtorin rajonal të Mitrovicës Veri, për mosrealizim të autorizimeve ligjore dhe zbatim të vendimeve zyrtare”, thuhet në njoftim.

Suspendimi i tij thuhet se është mbështetur në autorizimet ligjore, udhëzimin administrativ Nr.04/19 për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës dhe rekomandimit të IPK-së.

“Policia e Kosovës, do të vazhdojë angazhimet e saja në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, duke qenë profesionale në shërbim të vendit dhe të gjithë qytetarëve pa dallime, andaj nuk do të tolerojë përfshirjen e asnjë punonjësi në aktivitete apo veprime që bien në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe udhëzimet administrative të PK-së”.

Suspendimi i Gjuriqit është bërë pas rekomandimit nga Inspektorati Policor i Kosovës.

I njëjti dyshohet se kryer veprat penale “Sabotim” dhe “Thirrja për rezistencë”, të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, Gjuriq ka deklaruar të mërkurën se policët në veri të Kosovës nuk do të zbatojë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletave qortuese, për shoferët që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia.

“Ne nuk mund ta zbatojmë atë vendim sepse ai është politik dhe i drejtuar kryesisht kundër komunitetit serb, të cilit i përkasim edhe ne vetë”, ka thënë ai, duke shtuar se “patrulla të njësive të trafikut nga Prishtina janë dërguar në veri, për të ushtruar presion”.

Gjuriq i ka bërë këto deklarata, pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë dhe katër kryetarëve të komunave në veri, të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok)./Teleskopi.info

Continue Reading