Ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla ka deklaruar se thirrjet për protestë në jug të Mitrovicës janë të panevojshme dhe nuk i ndihmojnë Republikës së Kosovës.
Sipas ministrit Sveçla, përmes këtij organizimi në rrjetet sociale po tentohet të nxiten tubime të panevojshme.
“Thirrjet për protestë në jug të Mitrovicës dhe me synim marshimin drejt veriut të vendit, janë të panevojshme dhe nuk i ndihmojnë Republikës së Kosovës. Përmes këtij organizimi në rrjetet sociale po tentohet të nxiten tubime të panevojshme. Sipas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë, kjo thirrje po përhapet nga persona të panjohur dhe profile të dyshimta nëpër rrjetet sociale”, ka shkruar Sveçla në facebook.
Ministri i brendshëm ka ftuar të gjithë qytetarët që të mos i përgjigjen këtyre thirrjeve të dyshimta dhe anonime.
“Mbështetja e madhe qytetare e këtyre ditëve karshi vendimeve të Qeverisë dhe institucioneve tona, të drejta dhe legjitime, janë garancë e vendosjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në veri të vendit. I ftoj të gjithë qytetarët që të mos i përgjigjen këtyre thirrjeve të dyshimta dhe organizimeve anonime” , ka shkruar ai .
Edhe Policia e Kosovës lëshoi një deklarate të ngjashme, duke sqaruar se këto thirrje mund të jenë qëllimkëqija, në dëm të vet qytetarëve dhe interesave të Republikës së Kosovës.