Connect with us

KOSOVË

Thaçi: Macron-Merkel, përcaktues për të ardhmen evropiane të Kosovës!

Published

on

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë sot në promovimin e librit “New State, Modern Stateman”, në Paris, organizuar nga Akademia Diplomatike Ndërkombëtare në Francë.

Në fjalën e tij para shumë përfaqësuesve të shtetit francez, deputetëve, diplomatëve, akademikëve, filozofëve, gazetarëve dhe përfaqësuesve të jetës kulturore në Paris, presidenti Thaçi tha se ende i ka shumë të freskëta bisedat që ka pasur me Presidentin Makron në Elize. “Vizioni i Markonit dhe Merkelit janë kruciale për tërë Evropën e në veçanti për vendet e Ballkanit”, tha ai.

Ai tutje tha se Kosova dhe Franca kanë raporte të shkëlqyeshme në të gjitha fushat, duke shtuar më tej se “Ne i jemi mirënjohës Francës për ndihmën që na ka dhënë në momentet më kritike si dhe tash kur po e forcojmë miqësinë tonë përherë e më shumë”.

Kreu i vendit, po ashtu, foli edhe për strategjinë e re për zgjerim nga Brukseli për 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor si dhe për vizitën e Presidentit Juncker dhe të Përfaqësueses së Lartë Mogerini dhe Komisionerit Hahn në gjashtë kryeqytete ballkanike.

“Evropa është në një moment kritik të historisë së saj dhe mendoj se ne, në Ballkan, duhet të kemi vesh për atë se çka po ndodh në qendrat kryesore të politikëbërjes evropiane dhe atlantike”, theksoi i pari i vendit.

Ai tha se janë tri momente kyçe që ju ftoj t’i keni në konsideratë, “Ekziston një gatishmëri e re në qendrat kryesore të vendosjes dhe një interesim i shtuar që t’i mbyllim kapitujt e hapur në Ballkan.

Ne kemi pësuar shumë dhe kemi humbur kohë për një mungesë konsiderate dhe vëmendje nga Brukseli në këto vitet e fundit.

E kuptoj që kriza e emigrantëve, lufta në Siri dhe zhvillimet me Brexit kanë tronditur Brukselin, por Ballkani është në kontinentin evropian”, vijoi presidenti.

Kreu i shtetit tha se Ballkani është test shumë më i rëndësishëm i kohezionit evropian dhe politikës së përbashkët evropiane – sesa çështjet me komplekse në kontinentet tjera.

Ai tha se tani kemi një dritare të hapur të mundësive, “Një riangazhim i Brukselit, që po përkrahet fuqimisht nga Uashingtoni, që kapitujt e problemeve bilaterale në Ballkan të mbyllen”.

Ai tha se jam përkushtuar për dialogun me Serbinë. “Jam takuar me Presidentin Vuçiq në Davos por edhe në Sofje. Jam i bindur se mund të arrijmë rezultat final të një marrëveshje legale që do t’i përshpejtonte hapat e Kosovës dhe të Serbisë drejt BE-së si dhe do ta bënte Kosovën anëtare të OKB-së”, pohoi ai.
Ai tha se kemi nevojë që ta përforcojmë narracionin e Evropës dhe të bashkëpunimit atlantik në Ballkan, duke shtuar tutje se, në gjirin e ekstremeve politike në Evropë dhe Ballkan po përqafohen teza të rrezikshme për Evropën dhe për Ballkanin në veçanti.
“Integrimi evropian në Ballkan është shndërruar në proces teknik”, shtoi ai.
Kështu Serbia, që momentalisht po debaton nëse i duhet vënë përmendore Millosheviqit në qendër të Beogradit, konsiderohet si sukses vetëm për shkak se në plan legjislativ ka aprovuar rregullore apo ligje adekuate.

Ai tha se Evropa nuk mund të jetë projekt burokratik. Integrimi Evropian i Ballkanit nuk mund të reduktohet në përmbushje të kushteve teknike. Integrimi është përqafimi i vlerave të përbashkëta që kanë banorët e Parisit, Berlinit, por edhe Stokholmit apo Athinës.

Ai tha se siguria jonë, siguria e qytetarëve në lagje të Parisit, të Brukselit e të Londrës është e kushtëzuar nga bashkëpunimi përtej kufijve dhe lufta pa kompromis kundër atyre që rrezikojnë mënyrën tonë të jetës. Unë besoj në rolin esencial të NATO-s.

“Gëzohem që Presidenti Makron e përkrah agjendën e rritjes së investimeve në mbrojtje dhe siguri të Evropës. Fjalimi i tij në Sorbonë vitin e kaluar mbi të ardhmen e Bashkimit Evropian ka qenë i qëlluar dhe ka reflektuar mbi pika të rëndësishme të rritjes së gatishmërisë konkrete dhe resurseve mbrojtëse të Evropës” theksoi presidenti Thaçi…/GazetaExpress/

 

Continue Reading