Presidenti i Kosovës Hashim Thaci ka thënë se “Serbisë nuk do t’ia mbërrijë ymri të kthehet në Kosovë”.

Kjo erdhi si përgjigje ndaj deklarimeve të presidentit serb Aleksandër Vuçiq , i cili dje ka thënë se “Hashim Thaçit nuk do t’ia mbërrij ymri të vendosë pikën kufitare në Kopaonik”.

Në konferencën për gazetarë ku Thaçi ka folur për aksionin e Policisë së Kosovës në veri, ndër të tjera tha se sa më shumë që vonohet Bashkimi Evropian me liberalizim të vizave, aq më shumë rritet interesimi i Kosovës dhe Shqipërisë për heqje të pikave kufitare.

I pyetur për deklarimet e presidentit të Serbisë i cili për idenë e bashkimit kombëtar, ka thënë se “Hashim Thaçit nuk do t’ia mbërrij ymri të vendosë pikën kufitare në Kopaonik”, presidenti Thaçi tha se njësoj ka menduar Serbia edhe kur është bërë fjalë për çlirimin e Kosovës apo pavarësinë e saj.

Thaçi, i cili kohët e fundit ka shpeshtuar deklaratat për bashkim të shqiptarëve në një shtet të vetëm, tha se askush nuk duhet t’i frikësohet bashkimit kombëtar.