Dy doktorë të Spitalit të Gjilanit, u arrestuan për ryshfet. Por, në bazë të hetimeve, skandali po thellohet edhe më shumë, pasi në librin protokollar të kirurgjisë, është gjetur edhe emri i djalit të kirurgut të arrestuar, i cili figuron si pjesë e ekipit mjekësor gjatë operacionit, edhe pse ai nuk është pjesë e stafit të spitalit.
Kjo e dhënë është gjetur pas arrestimit të dy mjekëve nën dyshimin se kishin kërkuar para për ta kryer një intervenim kirurgjik.
Për këtë rast janë iniciuar masa disiplinore ndaj kirurgut dhe anesteziologut si shef i sallës, të cilët gjenden në paraburgim.
“Këtë e kemi kuptuar pasi qe ka ndodhur rasti. Në sallë ka qenë edhe djali i doktorit në fjalë, kirurgut”, thotë Dr.Ruzhdi Kadriu, Ushtrues Detyre i drejtorit klinik në Spitalin e Gjilanit.
“Ne si spital i kemi filluar menjëherë procedurat. Nuk kemi qenë në dijeni për një gjë të tillë”, tha ai për RTK-në. “Kjo është një shkelje e rëndë. Kemi filluar procedurat disiplinore lidhur me këtë rast, që në momentin që e kemi kuptuar se ka ndodhur një gjë e tille”.
Ndërkohë, dy doktorët e spitalit të Gjilanit po mbahen në paraburgim dhe nga menaxhmenti i spitalit janë pezulluar nga detyra për 30 ditë./rtk