Connect with us

LAJME

Vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Published

on

Sot në Hagë në Dhomat e Specializuara të Kosovës, vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Në seancat e fundit dëshmitari i dhjetë dhe i njëmbëdhjetë të thirrur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë dhënë dëshmi dhe iu përgjigjën pyetjeve të Prokurorisë, Mbrojtjes, mbrojtësit të viktimave dhe gjykatësve.

Trupi Gjykues shprehu shqetësimin për ritmin se si po ecin seancat në këtë çështje gjyqësore dhe u kujtoi palëve se është e panevojshme t’i pyesin dëshmitarët me hollësi për aspekte të pakontestuara.

Dëshmitari i njëmbëdhjetë përfundoi dëshminë dhe pas kësaj Trupi Gjykues diskutoi gjerësisht me palët dhe mbrojtësin e viktimave për hapat konkretë që mund të ndërmerren për të garantuar një numër më të madh seancash publike në këtë çështje gjyqësore. Diskutimi u mbështet në parashtrimet me shkrim që Trupi Gjykues kishte marrë nga Prokuroria, Mbrojtja dhe mbrojtësi i viktimave.

Kryegjykatësi theksoi se të gjithë pajtohen se duhet promovuar një procesi gjyqësor publik. Në fund të seancës, ai bëri me dije se ka gjasa që Trupi Gjykues t’i mbledhë përsëri palët dhe pjesëmarrësit për të diskutuar propozimet e bëra dhe u kërkoi Prokurorisë dhe Mbrojtjes që të japin ndihmën e tyre për të trajtuar këtë aspekt.

Ndryshe më 28 qershor, Prokuroria dorëzoi listën e 12 dëshmitarëve të tjerë që do të thirren në çështjen gjyqësore Thaçi  dhe të tjerë. Lista përmban edhe dëshmitarë rezervë dhe Prokuroria theksoi se ka zvogëluar kohën e parashikuar që duhet për të marrë në pyetje tetë prej këtyre dëshmitarëve. Emrat e dëshmitarëve janë dorëzuar si pjesë e një shtojcë konfidenciale./rtk/