Kongresi i 2-të Ndërkombëtar i Fizioterapisë ishte një platformë e shkëlqyer për të shkëmbyer ide dhe për të ndjekur praktikat më të mira rreth zhvillimit në fushën e fizioterapisë. Kështu ka deklaruar ministri kosovare i Shëndetësisë, Arben Vitia në nisje e Kongresit të Ndërkombëtar të Fizioterapisë ku po marrin pjesë rreth një mijë pjesëmarrës.
“Odat e profesionistëve shëndetësor si organizata të pavarura profesionale përpos që mbrojnë dhe prezantojnë interesat profesionale të anëtarëve të saj, kanë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm për të siguruar standardet e larta, si dhe të sigurojnë edukimin e vazhdueshëm profesional me qëllim të ofrimit sa më cilësor të shërbimeve shëndetësore dhe shërbimeve tjera që kanë të bëjnë me kujdesin shëndetësor”, theksoi Vitia.
Si ministër i Ministrisë së Shëndetësisë, theksoi ai, mbetem i përkushtuar që të mbështesim zhvillimin dhe edukimit të fizioterapeutëve konform ligjit të përcaktuar për odat e profesionistëve dhe respektimit të Rregullores së Fizioterapisë në Evropë – ESCO (European Skills, Competences, Qualifications and Occupations /Aftësitë, Kompetencat, Kualifikimet dhe Profesionet Evropiane).
“Zhvillimi i fizioterapeutit, si edhe në fusha të tjera të shëndetësisë, është një vazhdimësi e të mësuarit. Ai fillon me programin e edukimit të fizioterapeutit të nivelit fillestar që lejon hyrjen në profesion, i ndjekur nga zhvillimi dhe ruajtja e kompetencës së vazhdueshme për ta praktikuar, ecuri kjo e mbështetur nga korniza e edukimit të fizioterapeutëve të Fizioterapisë Botërore. Tashmë, siç e dini, në këtë qeverisje, është hapur Qendra Kombëtare e Mjekësisë Sportive dhe atë të Klinikës së Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim. Kjo është struktura e vetme e kujdesit terciar shëndetësor në Kosovë, e cila ofron shërbime të diagnostifikimit si dhe të trajtimit të veçantë të patologjive të ndryshme përmes terapisë fizikale dhe të rehabilitimit”, ka thënë Vitia, citon MSH në një kumtesë për media.
Ministri Vitia po ashtu ka thënë se paralelisht me përmirësimin e infrastrukturës fizike, Qeveria e Republikës së Kosovës po punon intensivisht edhe në përditësimin e infrastrukturës ligjore në fushat e mjekësisë sportive dhe mjekësisë fizikale dhe rehabilituese./rtk