Connect with us

LAJME

Von Cramon: Kosova me arritje të mëdha për një vit, e shqetësuar për veriun

Published

on

Deputetja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja e për Kosovën, Viola Von Cramon-Taubadel, në konferencën për media të mbajtur në Prishtinë, paraqiti raportin vjetor.

Ajo tha se përmes këtij raporti,  synojnë të japin një vlerësim të sinqertë dhe konstruktiv duke paraqitur edhe rekomandime.

“Në radhë të parë dua të theksoj progresin për çdo lëvdatë që Kosova ka bërë vitin e fundit. Kosova përfundimisht mori liberalizimin e vizave pas vitesh pritje, dhe e di shumë mirë se sa e dhimbshme ka qenë kjo për të gjithë qytetarët e Kosovës, po dua t’ju përgëzoj për këtë, edhe pse është vonuar shumë, kjo arritje për ju është e jashtëzakonshme”, tha Von Cramon.

Ajo deklaroi se Parlamenti Evropian ka mirëpritur  aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropë dhe BE, meqë e shohin Kosovën si pjesë të familjes evropiane.

“Ne në mënyrë të qartë e përsërisim zotimin tonë për Kosovën në rrugëtimin e saj drejt integrimit  evropian”, tha ajo, duke shtuar se janë të gatshëm të ofrojnë ndihmë dhe ekspertizë për reforma.

“Hapa të rëndësishëm janë ndërmarrë në luftën kundër  korrupsionit për çka dua të përgëzoj Qeverinë”, tha Von Cramon, sipas së cilës, njerëzit investojnë vetëm  aty ku nuk ka nevojë te jepet ryshfet.

Kur bëhet fjalë për reforma, ajo tha se  është me rëndësi të theksohen sfidat që mbesin, dhe se raporti flet për nevojën për më shumë punë në të drejtat e njeriut e dialogun ndëretnik.

“Këto sfida duhet të adresohen për një të ardhme të qëndrueshme”.

“Dua të theksoj tri fusha prioritare, gjyqësorin, mediat dhe energjinë e klimën, sepse këto janë reformat kryesore ku qytetarët presin të shohin rezultate të prekshme”, tha Von Cramon, teksa shtoi se një nga  aspektet që theksohet në raport është rëndësia që ka dialogu me Serbinë.

“Vizita ime përkon me eskalimin në veri, edhe pse kjo vizitë ishte planifikuar para se kjo të ndodhte”, sqaroi ajo, duke shtuar se kosovarët e dinë se sa mbështetëse e madhe e pavarësisë së Kosovës është ajo.

“Dje  vizitova veriun dhe sinqerisht jam shumë e brengosur, jo vetëm unë. Është situatë shumë e vështirë dhe e tensionuar, shumë Njësi Speciale e automjete të blinduara janë të vendosura në veri”, tha Von Cramon, teksa shtoi se “sigurisht, kryetarët janë të ligjshëm de-juro, por kjo nuk nënkupton  që kanë fuqi legjitime të hyjnë në objekte dhe qasjen ta bëjnë me forcë”.

Ajo sqaroi se askush nuk mundet të qeverisë me 1 apo 2%  të votave.

“Unë vet shkova për të parë si duket gjendja dhe si është larg nga pasqyra që pasqyrohet në media”, tha ajo, duke risjellë në vëmendje deklaratën e  QUINT-it.

“Të gjithë miqtë e Kosovës jemi të brengosur, sepse qeveria duket se po rrezikon shumë me këto manovra në veri dhe ata duhet t’i bëjnë pyetje vetës nëse kjo është qverisje e mirë dhe pyetja tjetër  që duhet bërë është nëse kjo formë e qeverisjes është ajo që ne e dëshirojmë”.

Viola von Cramon u shpreh se në  vend të kësaj duhet të ketë  më shumë masa për ndërtim të besimit, sepse jo të gjithë ata janë kriminelë, dhe se  jo të gjithë ata janë kukulla të Beogradit, ndonëse të tillë perceptohen.

“Dialogu është e vetmja mënyra për të dalë nga kjo gjendje dhe kjo është arsyeja pse i bëj thirrje autoriteteve për të marrë masa për ndërtimin e besimit, siç është  tërheqja e forcave të policisë dhe të ulën në tryezën e dialogut”.

Ajo u pyet edhe për deklarimin e saj ndaj policëve që një ditë më parë u tha se “cfarë dreqin bënin aty?”.

Në përgjigjen e saj, Viola von Cramon tha se nëse dikush hyn  në një vend ku është objekti i komunës dhe shikon  pesë njerëz të armatosur dhe shihni disa  Njësi Speciale të armatosur rëndë me automatikë, e armë të ndryshme, edhe pse nuk është dëshirë e tyre, e vëreni se ata nuk po ndjehen rehat.

“Si politikane që një kohë të gjatë pyeta se çka dreqin po bëni, çfarë donin aty, dhe se nuk është vendimi i tyre,e di këtë, por a mendoni që kjo është e nevojshme. Këtë e kam bërë si pyetje legjitime dhe ai zotëria nuk mundi të më japë përgjigje”, tha Von Cramon.

Continue Reading