Radiologjia, si degë e mjekësisë, si një teknologji fotografike përdoret për të diagnostikuar e për të shëruar sëmundje, si dhe për kërkime shkencore në fushën e mjekësisë.
Për t’u njohur më në hollësi për këtë njësi mjekësore në “Mirëmëngjesi Kosovë”, është i ftuar radiologu Bujar Gjikolli, i cili foli për zhvillimet në Radiologji, si një degë relativisht e re në fushën e mjekësisë.
Ai, në fillim foli për historikun e zhvillimit të radiologjisë, që nis gati një shekull, për t’u ndalur në arritjet teknologjike në kohët e fundit që ndihmojnë në diagnositikimin e sëmundjeve në trupin e pacientit pa ndërhyrje kirurgjikale, vetëm përmes fotografimeve kompjuterike, duke bërë të mundur në lehtësimin dhe saktësinë e intervenimit në organizmin e pacientit.
“Përveç vërtetimit të diagnozës, ndikon në përmirësimin e ndryshimit që janë në trup, si hapjen e enëve të gjakut, lirimit të lëngjeve që janë në trup, në mëlçi, më konkretisht, pastaj marrjen e mostrave për biopsi, etj.”, tha dr. Gjikolli, radiolog, në “Mirëmëngjesi Kosovë”, në RTK.
Ai, më tej shtoi se Radiologjia është segment kyq, “është qafa që rrotullon kokën në drejtimin e duhur”, teksa sqaroi rolin e radiologjisë në segmentet tjera të mjekësisë, qoftë në kirurgji, onkologji, etj.
Radiologu Gjikolli, mes tjerash, foli edhe për kushtet e punës, që i ekspozohen rreziqeve nga rrezatimet e që arritjet e reja shkencore bëjnë që ato të jenë më të papërfillshme, derisa përmendi edhe vetëdijen e pacientit, për të cilin mjeku rrezikon për të mirën e tij, duke iu ekspozuar rrezeve magnetike për trajtimin e duhur të pacientit.