Të jesh në kohën e sodit mësues, nuk është aspak privilegj dhe e lehtë; këtë e dimë thellë në vetvete të gjithë, megjithëse nuk e themi me zë dhe as nuk duam ta pranojmë. Si kurrë më parë, sistemi arsimor po përballet me probleme të mëdha institucionale dhe shoqërore, por edhe është degjeneruar skajshmërisht. Paga e një mësuesi është e pamjaftueshme për një jetësë normale, nga ana tjetër mobingu për faljen e notave sa vjen e shtohet më shumë, dhe si rrjedhojë, autoriteti i mësuesit thuajse është zhbërë tërësisht, menaxhimi i shkollave bëhet kryekëput nga selitë partiake dhe jo nga kolektivi prifesionist i shkollave, oborret shkollore janë kthyer në vende shitblerjesh dhe konsumimi të drogës dhe gjëra të ngjashme, që tashmë janë të njohura për mbarë opinionin publik. Në këto rrethana, misioni i mësuesit i ngjan filmit MISSION IMPOSSIBLE me Tom Cruise në rolin kryesor, por nuk duhet lëvarë kokën dhe thyer shpirtërisht, përkundrazi të kontribuohet si shoqëri në kthimin e dinjitetit të mësuesit dhe shkollës, që e ardhmja e fëmijëve dhe shoqërisë tonë të jetë më e paqtë dhe më e sigurtë.

P.S.
Në këto rrethana e kam të pamundur të shpreh urime siç duhet për këtë ditë të shenjtë… ju kërkoj ndjesë!