Benfica e tij duhet të rikuperojë 0-2 të pësuar në `Da Luz` dhe Roger Schmidt beson te përmbysja, ndërsa pranon vështirësitë.
“Ne duhet të shënojmë gol, përndryshe do të jemi jashtë Champions League. Ne e kemi treguar tashmë këtë sezon, në ligë dhe në Champions, se mund të shënojmë, kemi krijuar edhe raste në ndeshjen e pare”, shpjegoi trajneri gjerman në prag të ndeshjes së dytë çerekfinale kundër Interit – Duhet të jemi të ekuilibruar, të mos heqim dorë nga loja jonë, por të jemi të kujdesshëm në mbrojtje.
A besoj në rikthim? Sigurisht. Nuk është një gjë e lehtë situata pas humbjes në ndeshjen e parë, kualifikimi nuk është 50/50, por ne mund ta bëjmë. Në futboll gjithçka është e mundur”.
Schmidt nuk e fsheh keqardhjen që Benfica nuk arriti të shënonte në ndeshjen e parë.
“Golat ndryshojnë gjithçka. Në sekondën e fundit ne humbëm mundësinë për të fiksuar rezultatin 2-1, gjë që do ta kishte bërë këtë lojë ndryshe, pasi na duhej vetëm një gol më shumë për të barazuar ndeshjen e parë. Nuk ka rëndësi nëse shënojmë më shpejt ose më vonë, sepse duhet të shënojmë edhe një gol të dytë. Interi ka një avantazh të dyfishtë ndaj nesh, ne nuk jemi në një situatë ideale, por në futboll gjithçka është e mundur. Ashtu si ata fituan 2-0 në Da Luz, edhe ne mundemi ta bëjmë”.
Pas një sezoni praktikisht perfekt, kanë ardhur tre humbje radhazi që rrezikojnë rrugën në Champions League dhe rihapin kampionatin.
“Është një moment i vështirë, por ne jemi ende në Champions dhe jemi të parët në ligë. Deri para 10 ditësh kishim humbur vetëm një ndeshje, pastaj tri humbje radhazi. Ajo që lojtarët kanë bërë deri më tani ka qenë fantastike. Humbëm pak, është e vërtetë. Ky moment është diçka e papritur. Por duhet të shohim përpara”.
Schmidt është kritikuar për pushimin që i dha pjesës tjetër të skuadrës gjatë ndeshjeve të kombëtareve.
“Ka pasur një ndikim, por një ndikim pozitiv te lojtarët. Problemi ishte se lojtarët ishin të zënë me ekipet kombëtare, duhej të udhëtonin, nuk mbanin ritmin e stërvitjes dhe për këtë arsye humbën pak momentin. Tani ne kemi qenë të gjithë bashkë për një kohë. Ne nuk duam ta përdorim këtë si justifikim. Lojtarët janë ambiciozë. E vetmja gjë që kërkojmë nga lojtarët është që ata të përqendrohen në dhënien e maksimumit të tyre dhe kjo është ajo që na ka zhgënjyer në ndeshjet e fundit. Interi shënoi në rastin e parë, mund ta kishim bërë edhe ne, ishte një lojë e ekuilibruar, nëse do të kishim shënuar në ndeshjen e pare, do të kishte qenë ndryshe”./rtsh/